Tatimet apel bizneseve: Edhe 10 ditë afat për instalimin e POS/POI
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka bërë thirrje bizneseve që të përfundojnë brenda afatit ligjor instalimin e pajisjeve POS/POI për pranimin e pagesave elektronike.
Sipas njoftimit zyrtar, kanë mbetur edhe 10 ditë nga afati i përcaktuar për zbatimin e detyrimit të pagesave cashless në strukturat akomoduese, shërbimet e transportit dhe institucionet apo shoqëritë publike me kapital shtetëror.
Subjektet e përfshira duhet të sigurojnë instalimin e pajisjeve POS/POI deri më 30 maj 2026, në mënyrë që të mundësojnë pagesat me kartë dhe forma të tjera elektronike për klientët dhe qytetarët.
Administrata tatimore thekson se zgjerimi i pagesave elektronike synon rritjen e transparencës në transaksione, përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e formalizimit të ekonomisë.
Thirrje për të shmangur vonesat
Tatimet u kërkojnë subjekteve që ende nuk kanë përfunduar procesin të mos presin ditët e fundit për instalimin e pajisjeve, në mënyrë që të shmangen problematikat teknike dhe vonesat në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Sipas autoriteteve, pas përfundimit të afatit do të zbatohen masat administrative të parashikuara në legjislacion për subjektet që nuk respektojnë detyrimin për pranimin e pagesave elektronike.
Kjo masë është pjesë e politikave për reduktimin e përdorimit të parasë cash dhe rritjen e përdorimit të sistemeve elektronike të pagesave në ekonomi.